Fjolla Vukshinaj Reçica, politologe me profesion dhe ka mbi 13 vite përvojë në menaxhimin e projekteve dhe komunikimin strategjik, duke punuar në organizata ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë. Në punën e saj është fokusuar në zhvillimin ekonomik, digjitalizim, fuqizimin e të rinjve, edukim dhe përmirësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
Së fundmi, Fjolla ka qenë e angazhuar si Specialiste e lartë e komunikimit në IREX, në kuadër të projektit të USAID-it për Zhvillim të Fuqisë Punëtore përmes sektorit privat, ku ka kontribuar në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe sistemit të arsimit për krijimin e më shumë mundësive të zhvillimit të fuqisë punëtore për të rinjtë në Kosovë.
Më herët, ajo ka shërbyer si Këshilltare strategjike për komunikim në Chemonics International, në kuadër të projektit të USAID-it për Qeverisje Ekonomike, ku ka punuar në përmirësimin e komunikimit institucional dhe transparencës në proceset ekonomike për 10 komuna, ATK-në dhe Qeverinë. Gjithashtu, ka qenë përgjegjëse e komunikimit në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC), përmes projektit të USAID-it për Përkrahje të Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt, duke kontribuuar në iniciativa që synonin zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve tek 16 shkolla të mesme dhe të larta publike.
Në përvojën e saj profesionale përfshihet edhe angazhimi me Organizatën “Germin”, ku ka punuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet diasporës, institucioneve dhe të rinjve në Kosovë. Që në moshë të re ka qenë aktive edhe në Rrjetin e Grave të Kosovës, duke marrë pjesë në Forumin Feminist dhe duke kontribuuar në avokim për barazi gjinore dhe përfshirje më të madhe të grave në jetën publike. Përveç kësaj, ajo ka trajtuar tema me rëndësi për jetën e qytetarëve edhe përmes punës së saj si gazetare.
Së fundmi, Fjolla ka shërbyer edhe si ambasadore lokale për organizimin e iniciativës globale Teens in AI, një program ndërkombëtar që zhvillohet në bashkëpunim me United Nations, i cili synon të fuqizojë të rinjtë përmes njohurive dhe projekteve në fushën e inteligjencës artificiale. Fjolla, po ashtu, ka kontribuar si konsulente për Organizatën “ATRC”, duke kontribuuar në zhvillimin e raportit “Krijimi i shkollave të sigurta”, si dhe për Institutin Next Gen Networks.
Fjolla jeton në lagjen Matiçan, ku është e përkushtuar të kontribuojë për një komunitet më të sigurt, më të organizuar dhe më funksional për të gjithë banorët. Interesat dhe prioritetet e saj lidhen me krijimin e hapësirave të sigurta publike për familjet dhe fëmijët, digjitalizim të shërbimeve, investime më të mëdha në hapësira rekreative dhe aktivitete jashtëkurrikulare për të rinjtë, si dhe mbështetje më të madhe për iniciativat lokale dhe bizneset e vogla.
Email: fjolla.vukshinaj@rks-gov.net
Mandati: I
Subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës