Dasmor Durmishi ka lindur në Prishtinë në vitin 1985 dhe është rritur në lagjen “Kodra e Trimave”, ku ka ndërtuar bazat e formimit të tij qytetar dhe profesional. Shkollimin fillor e ka përfunduar në SHFMU “Zenel Hajdini”, ndërsa arsimin e mesëm në SHML “Hoxhë Kadri Prishtina”.
Studimet universitare i ka ndjekur në drejtimin e Kriminalistikës në Universitetin e Sarajevës (Bosnje dhe Hercegovinë), duke zgjeruar më tej formimin akademik në fushën juridike në Universitetin AAB. Ky kombinim studimesh i ka mundësuar ndërtimin e një profili të fuqishëm profesional në fushën e ligjit, kontrollit dhe administrimit publik.
Prej më shumë se nëntë vitesh, z. Durmishi është pjesë e Ndërmarrjes publike rajonale “Pastrimi”, ku ushtron detyrën e Shefit të Kontrollës së Brendshme. Në këtë rol, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e standardeve të menaxhimit institucional.
Angazhimi i tij politik ka filluar që në moshën 18-vjeçare si pjesë aktive e forumit rinor të Degës 1. Gjatë viteve ka mbajtur funksione të rëndësishme organizative, përfshirë anëtarësinë në kryesinë e nëndegës (1/1). Aktualisht është anëtar i kryesisë dhe nënkryetar i Degës 1, duke u angazhuar fuqishëm për interesat e komunitetit lokal.
Z. Durmishi është në mandatin e tij të dytë si asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi në përfaqësimin e qytetarëve. Ai ushtron gjithashtu funksionin e aksionarit në Ndërmarrjen “Kuzhina Qendrore”, ku ka kontribuar drejtpërdrejt në adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të qytetarëve të Prishtinës.
I përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe zhvillimit të komunitetit, z. Durmishi aspiron të jetë një zë i fuqishëm dhe konstruktiv në vendimmarrje, duke punuar për një qytet më funksional, më të pastër dhe me standarde më të larta jetese për të gjithë qytetarët e Prishtinës.
Mandati i dytë në Asamblenë Komunale Prishtinë.