Fiknete Bejta ka lindur me 17 prill në Prishtinë. Shkollimin universitar dhe pasuniversitar e ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku mori titullin Bachelor në Ekonomi (2007) dhe master në Marketing (2012). Ka vazhduar pastaj PHD në Shkencat Ekonomike, në Menaxhim Ndërmarrjesh, në Universitetin Evropian të Tiranës.
Ka mbi 16 vite përvojë profesionale në sektorin publik dhe privat. Aktualisht është konsulente financiare për Kosovë në kompaninë zvicerane “Bauwerk Consulting AG” dhe eksperte financiare gjyqësore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ka ushtruar detyra udhëheqëse si drejtore ekzekutive në Salldo Pozitive SHPK, anëtare e komisioneve të aksionarëve në ndërmarrje publike si: “Pallati i Rinisë” dhe “Kuzhina Qendrore”, si dhe ka vepruar si kontabiliste dhe konsulente financiare për kompani të ndryshme, trajnere për ndërmarrësi e marketing digjital në Finca, Handikos dhe Caritas.
Përveç angazhimit profesional, prej më shumë se një dekade është ligjëruese e lëndëve të ekonomisë dhe kontabilitetit në kolegje universitare në Kosovë. Për 4 vite ka qenë zyrtare për media në LDK, ku sot është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm. Në Kuvendin Komunal të Prishtinës shërben tashmë për mandatin e tretë radhazi.