Para fillimit të punimeve, në këtë aks, komuna ka investuar dhe ndërtuar të gjitha rrugët alternative, që do të jenë një arterie e mirë e qarkullimit të automjeteve të qytetarëve, deri sa të përfundojnë punimet në këtë rreth-rrotullim.
Komuna e Prishtinës, u bënë thirrje gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe Kosovës që përdorin këtë aks rrugor, që të përdorin rrugët alternative, të hapura nga komuna për të qarkulluar me automjetet e tyre.
Rrugët alternative që mund të përdoren nga qytetarët që destinacion kanë qytetin e Gjilanit dhe anasjelltas, janë, rruga që kalon nga fshati Suteske (para liqenit të Badovcit, nga drejtimi i Gjilanit), rruga Holgen Petersen dhe Malush Kosova në Lagjen e Spitalit. Qytetarët që destinacion kanë qytetin e Mitrovicës dhe anasjelltas mund t’i përdorin rrugët Ahmet Krasniqi, rrugën Bill Klinton dhe rrugën e re në fshatin Shkabaj.
Për të mos u shkaktuar pengesa në komunikacion tek vendi i punimeve dhe që tu krijoj lehtësira në qarkullim të gjithë qytetarëve që kanë si destinacion të tyre qytet Ferizaj, Gjilan, etj, komuna e Prishtinës ka bërë zgjerimin e rrugëve afër rreth rrotullimit si dhe ka hapur rrugë të reja që lidhin këtë pjesë të qytetit me lagjen Dardania.
Rreth rrotullimi në kryqëzimin e rrugëve Prishtinë-Ferizaj është njeri prej projekteve kapitale që komuna e Prishtinës është duke i realizuar në këtë vit.
Në kuadër të këtij projekti parashihet që të ndërtohet tuneli me 120 metra gjatësi, me katër korsi që do të lidh rreth-rrotullimin në kryqëzimin e rrugëve Prishtinë-Pejë, me qytetin e Ferizajt dhe Gjilanit, përkatësisht Shkupin.
Po ashtu do të ndërtohen edhe dy nënkalime për qytetarë. Njeri që do të lidh Lagjen Kalabria me Lagjen Dardani, tek baza e FSK-së, dhe tjetri që do të lidh Lagjen Kalabria me Lagjen e Spitalit tek vendi i njohur si banesat e arabeve. Projekti si tërësi është bashkëfinancim në mes të Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe kushton 5.4 milionë euro dhe pjesën me të madhe do ta financoj komuna nga buxheti vetanak.
Gjatë kësaj kohë, sa do të zhvillohen punimet në këtë rreth rrotullim, Komuna e Prishtinës, nga të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe Kosovës, kërkon mirëkuptim dhe përkrahje në mënyrë që ky projekt të realizohet brenda afatit të paraparë më kontratë, e që është një vit.
Komuna e Prishtinës, të hënën ka filluar punimet në ndërtimin e rreth rrotullimit në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, përkatësisht tek vendi i njohur si fundi i Veternikut.