Edhe në këtë përvjetor përkujtojmë dhe falënderojmë të gjitha ata që dhanë jetën, sakrifikuan, kontribuuan në periudha të ndryshme kohore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
“Kjo ditë na i kujton mijëra dëshmorë, martirë e viktima, që në përballje me forcat e regjimit serb kishin rënë në krye të betejave të luftës dhe në mbrojtje të Kosovës, për të cilën edhe u flijuan. Sot, kujtojmë edhe fushatën e intervenimit 78-ditësh të Aleancës Veri-atlantike, që së bashku me forcat tona detyruan okupatorin serb të tërhiqet përgjithmonë nga Kosova”, thekoi i pari i kryeqytetit.
Kryetari Mustafa në fjalën e tij, përmendi edhe sfidat dhe të arriturat e komunës. “Duke kujtuar të kaluarën dhe mbështetur në vlerat e atyre që u sakrifikuan Prishtina është duke ecur përpara, me synimin që të behët qytet metropolitan”.
Ai tha se gjatë këtyre viteve janë realizuar shumë projekte të rëndësishme, si në infrastrukturë, objekte shkollore, objekte shëndetësore, janë shtuar hapësira të reja të gjelbërimit, terrene sportive, kopshte dhe kënde për fëmijë.
“Por, para nesh për të arritur tek qëllimi dhe një Prishtinë ndrysh na duhet ende kohë dhe mjete, por shpresojmë që me miratimin e Ligjit të Prishtinës, miratimi i të cilit po zvarritet pa arsye, do të hapet rruga për zhvillim ekonomik, urbanizim dhe mirëqenie të qytetarëve”, tha Mustafa. “Jemi koshient se pas luftës, Prishtina u përball me shumëfishim të banorëve, degradim urban, infrastrukturë të dëmtuar etj, mirëpo tha ai Prishtina, çdo ditë po ndryshon dhe po profilizohet gjithçka duke u nisur nga zhvillimi ekonomik, infrastruktura, kultura, ambienti urban, arsimi dhe fushat e tjera jetike për qytetarin tonë”. Sipas Mustafës, Prishtina është në rrugë të mirë për arritur synimet tona, si kryeqytet dhe si Kosovë, për t’u integruar në familjen evropiane na presin edhe shumë punë dhe sfida, duhet të kem përkrahjen e të gjithëve, së pari të qytetarëve dhe institucioneve qendrore.
“Për të arritur këtë, jemi të obliguar që të gjithë të kontribuojmë ta rrisim shkallën e sukseseve, e suksesi dhe përparimi arrihet vetëm duke qenë serioz në punë, transparent në detyra dhe të përgjegjshëm para ligjit dhe qytetarëve”, shtoi kryetari i Prishtinës.
Në nderim të kësaj dite, Mustafa tha se i kujtojmë me respekt të gjithë ata që ranë dhe punuan për liri, duke i falënderuar miqtë tanë perëndimorë, forcat e NATO-s, KFOR-in dhe mekanizmat ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar dhe janë duke na ndihmuar aq shumë, që Kosova të jetë jo vetëm shtet, por shtet i zhvilluar, demokratik e modern.
Të pranishmëve në këtë Akademi solemne me një fjalë rasti ju drejtua edhe Sylë Vitia , përfaqësues i Shoqatave të dala nga lufta e fundit. Ai përkujtoi me respekt të gjithë ata që ranë për liri, si dhe falënderoi kryetarin Mustafa për bashkëpunim të ngushtë me këto shoqata për t’i zgjidhur çështjet me të cilat preokupohen anëtarësia e tyre.
Me rastin e Ditës së Prishtinës, kryetari Mustafa, ndau mirënjohje dhe shpërblime për të arriturat dhe kontributin në fushat e arsimit dhe të shkencës, ne fushën e kulturës, në fushën e sportit dhe në fushën e zejtarisë.
Në fushën e arsimit dhe shkencës në këtë vit shpërblimi ju nda Nybevete Drini, mësuese- veterane e arsimit, në fushën e kulturës, u shpërblye Sevime Xhinali, kompozitore dhe pedagoge e muzikës; në fushën e sportit, shpërblimi ju nda klubit të basketbollit “Sigal Prishtina”, dhe në fushën e zejtarisë, shpërblimi ju nda Sami Vezirit, teneqepunues.
Po sot, u promovua edhe kënga për Prishtinës, e kompozuar nga Andosi, kënduar nga vet ai, Rrona Nishliu, Flaka Krelani dhe Xuxi, mbështetur nga Drejtoria e Kulturës.
Gjatë ditës, udhëheqja komunale ka bërë homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe varrezat e dëshmorëve në Velani.
Për të shënuar Ditën e Prishtinës, Drejtoria e Kulturë, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Prishtinës, u përkujdes për pjesën artistike, ku u mbajtën një varg aktivitetesh kulturo-artistike.
Në rrugë e qytetit ka parakaluar Banda Muzikore të Bashkisë së Tiranës, ndërsa në sheshin “Nëna Terezë”, është mbajtur programi artistik për fëmijë dhe të rinj.
Në Teatri i të Rinjve të Qytetit, “DODONA”, janë shfaqur: “Rrëmuja 4; Po! Reformat+Standardet”. Ndërsa në orën 21:00 deri në orën 23:00, në Bulevardin “Nëna Terezë”, organizohet koncert i mbrëmjes, ku marrin pjesë këngëtarë të njohur të estradës kosovare, ku të pranishmëve në orën 22:00, do t’i përshëndes kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Komuna e Prishtinë sot, ka shënuar Ditën e Çlirimit me një varg aktivitetesh kulturor- artistike.