Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe kësaj organizate për sigurinë në bashkësi.
“Ne e kemi të formuar Këshillin për Siguri në Bashkësi, ku janë të përfshira të gjitha strukturat e komunitetit, andaj jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të realizojmë ndonjë projekt të përbashkët në fusha të ndryshme të sigurisë”, tha kryetari Mustafa. Ai shtoi se së bashku me ju është nevojë urgjente të organizohen fushata vetëdijesuese për sigurinë në trafik dhe për çështje të tjera në interes të komunitetit.
“Qëllimi kryesor i programit Policia në Bashkësi i mbështetur nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane (ICITAP), është që të zhvillojë dhe përkrah marrëdhëniet ekzistuese ndërmjet anëtarëve të bashkësisë, përfaqësuesve të komunave dhe të policisë”, tha Arbënore Ymeri – Mikullovci, trajnere – asistente Programi: ICITAP.
Në takim ishin prezent edhe Cameron Fisher, menaxher i Programit /ICITAP dhe Jackie Davis Moran, këshilltare e lartë e këtij Programi.
Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, Programi ICITAP (PNTNHK – Programi ndihmës trajnues ndërkombëtarë për hetime krimi), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka filluar pilot programin për themelimin e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi (EVSB) qysh në vitin 2003, me katër komunat pjesëmarrëse.
Deri tashti, në Kosovë janë themeluar 24 Ekipe, ndërsa dy komuna janë lidhur në vazhdim të programit, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve: EVSB-ja Prishtinë dhe Drenasi.
EVSB-ja paraqet forum të sigurisë, në baza vullnetare, të përbërë nga Komuna, Policia dhe Komuniteti, krejt me qëllim të krijimit të raporteve të besueshme, që kanë qëllim zvogëlimin e krimit dhe përmirësimin e kushteve jetësore.
Bashkëbiseduesit u dakorduan të vazhdojë bashkëpunimi i kësaj organizate me Këshillin për Siguri në Bashkësi, me qëllim të realizimit të projekteve të ndryshme, si në aspektin e sigurisë në trafik. Pjesa e parë e programit është trajnimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, që mund të bëhet nga njohës të fushave të sigurisë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, sot, priti në një takim përfaqësuesit e organizatës “Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi” (EVSB), e cila mbështet nga Departamenti i Drejtësisë së Amerikës.