Për hir të së vërtetës dhe informimit të drejtë të qytetarëve edhe një herë sqarojmë:
Komuna e Prishtinës, nuk ka asnjë obligim të pa kryer ndaj PTK-së.
Lidhur me pretendimin e PTK-së se komuna i ka borxh kësaj kompanie, është biseduar shumë herë midis përfaqësuesve të komunës, MEF-it dhe PTK-së, dhe janë dhënë argumentet nga ana e Komunës së Prishtinës, ku edhe është vërtetuar se kjo e fundit nuk ka asnjë detyrim financiar ndaj kësaj kompanie.
Nuk ekziston asnjë marrëveshje apo kontrate e firmosur midis Komunës së Prishtinës dhe PTK-së, lidhur me borxhin e pretenduar nga kjo e fundit, marrëveshje kjo ku mund të faktohet se është kryer ndonjë shërbim për komunën dhe nuk është bërë pagesa.
Komuna e Prishtinë, do ta padis PTK-në, në gjykatën përkatëse për lansimin e informatave të pa sakta, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit dhe dezinformim të opinionit publik.
Komuna e Prishtinës gjithsesi është e habitur se si është e mundur që PTK-ja të akuzoj dhe të pohojë diçka të tillë, që nuk ekziston dhe nuk mund të argumentohet në asnjë mënyrë.
Dhe krejt në fund e gjithë kjo do të argumentohet në gjykatë, ku do të kenë mundësi që argumentet e tyre t’i paraqesim të dy palët.
Komuna e Prishtinës ka pasur marrëveshje me PTK-në për shpërndarjen e faturave të tatimit mbi pronë për vitet 2008-2009, dhe i ka kryer detyrimet si më poshtë. Më datë 10 maj 2008 komuna e Prishtinës ka pranuar faturën nr.04/1-2008/KK.Pr, në vlerë 13. 219,69 euro, nga PTK-ja për shpërndarjen e faturave të tatimit mbi pronë, faturë e cila është paguar nga Komuna e Prishtinës më datë 15 shtator 2008, ndërkaq për vitin 2009 fatura e PTK-së me nr 3/1-2009/KK.Pr, për shpërndarjen e faturave për tatimin mbi pronë i është dorëzuar komunës më datë 10 prill 2009, në vlerë 13.700,35 euro, e cila faturë është paguar nga komuna më datë 3 korrik 2009.
Në të përditshmen “Tribuna shqiptare” nr. 142, të datës 26 shkurt 2010, në ballinën e gazetës dhe në faqen nr. 9, është publikuar shkrimi me titull “Komuna nuk i shlyen borxhet”, ku përsëri nga zyrtarët e PTK-së, akuzohet Komuna e Prishtinës për mos “pagesë të borxhit” të pa qenë.