I pari që e ka hapur diskutimin, nënkryetari i Komunës, Avdullah Hoti, ka folur për zhvillimet në Komunën e Prishtinës në fushën e urbanizmit, por edhe në elementet e tjera që e bëjnë më të vështirë organizmin e përgjithshëm urban. Ai në këtë kontekst ka folur për mbipopullimin e vazhdueshëm të kryeqytetit, që sipas tij, po krijon nevojën për kujdes më të madhe për hartimin e planeve urbane e zhvillimore. Hoti e ka vlerësuan nga dy aspekt mbipopullimin. E para, ngase siç ka thënë ai sjell koncentrik të ekonomisë dhe e dyta se sjell edhe kokëçarje, siç është ndotja e ambientit, nevoja e domosdoshme për rritjen e kapaciteteve të projekteve etj. Ai ka thënë se vetëm në shkolla për çdo vit në Prishtinën shtohen 4 për qind e nxënësve, derisa edhe nevoja për shkolla shtohet.
“Për t’i plotësuar nevojat e shkollimit në kryeqytet, sipas këtij shtimi duhet të ndërtohen 4 shkolla në vit”, ka konstatuar ai.
Në të njëjtën temë, por më në vija të trasha ka folur edhe ministri i MAPH-së, Mahi Yagcilar. Edhe ky si shqetësim kryesor e ka përmendur lëvizjen e madhe të popullatës nga fshatrat në qytete.
“Në Kosovë, duke pasur parasysh që komunat nuk kanë mundësi buxhetore t’i realizojnë projektet e nevojshme, atëherë mbipopullimi i tyre ndikon edhe në shëndetin e qytetarëve. Ai ka përmendur disa projekte, një prej të cilëve në lagjen “Mat” të Prishtinës, i cili ndikon në përmirësimin e ambient, pra në shëndetin e qytetarëve”.
Në këtë temë është angazhuar edhe koordinatorja për zhvillim të Agjencisë së kombeve të bashkuara, Osnat Lubruni.
Aspektet e globale të zhvillimit të urbanizimit në shëndet i ka paraqitur Skënder Syla, kryetar i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetit në Kosovë. Ai ka dhënë një pasqyrë të thukët të faktorëve urbanistikë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin publik të qytetarëve, duke përmendur edhe shifra konkrete.
Për problemin e mbipopullimit urban ka folur edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mubera Mustafa. Sipas saj, Kosova edhe ashtu është e ngarkuar, pasi që në një kilometër katror jetojnë 200 banorë, që është jashtë çdo mase.
Në vijim eksperti i mjedisit Luan Shllaku, nëpërmjet monitorit ka paraqitur gjendjen mjedisore në kryeqytet, por edhe më gjerë. Ai, duke u fokusuar përreth Prishtinës, ka treguar hapësirat që ndoten vetëm nga termoelektranat në Kastriot, pa llogaritur edhe sa ndonjë e ajrit bëhet nga automjetet etj.
Më pas kanë diskutuar dhe paraqitur propozime të ndryshme për zbutje të problemit në fjalë, krejt më qëllim të ruajtjes së shëndetit edhe përfaqësues të OJQ-ve, si Naim Shaqiri nga OJQ “Paqja”, Ramadan Uka nga “Eco Trepça”, etj.
Komuna e Prishtinës, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UN-Habitati, të mërkurën në një Tryezë, në të cilën kanë marrë pjesë edhe strukturat më të larta komunale e shtetërore, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të OJQ-ve të vendit dhe të qytetarëve, duke shënuar 7 Prillin –" Ditën Botërore të të Shëndetësisë 2010", ka hedhur në sipërfaqe ndikimet e fuqishme të Urbanizimit në mjedis dhe në shëndet përgjithësisht.