Hovi i shpejtë i zhvillimeve teknologjike dhe mundësitë që ofrohen në këto zhvillime, detyrimisht obligojnë edhe institucionet të adaptojnë dhe përgjigjen këtyre zhvillimeve në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe ofrimit të qasjes më të lehtë ndaj këtyre shërbimeve.
Si përgjigje ndaj këtyre ndryshimeve dhe avancimeve teknologjike, Kryeqyteti po i rrit nga dita në ditë kapacitetet e veta teknologjike për të ofruar mundësi ku qytetarët përfitojnë më së shumti. Së fundmi Komuna e Prishtinës / Kryeqyteti ka bërë implementimin e platformës dhe infrastrukturës për SMART CITY, e cila është një platformë e së ardhmes.
Dinamizmi i zhvillimeve vë në pah nevojat për fushata vetëdijësuese dhe informuese, të cilat kërkojnë kanale sa më të shumta komunikimi. Përveç kanaleve tradicionale (media “mainstream”) dhe digjitale (Facebook, Tuitter, Instagram, etj.), platforma SMART CITY ofron mundësi për të ofruar shërbime shtesë si dhe për të zhvilluar një treg të ri digjital.
Për të realizuar vizionin për një qytet më të zgjuar, më efikas dhe në shërbim të qytetarëve, kjo “Thirrje për aplikim” synon të angazhojë operatorë ekonomikë që ofrojnë ide/zgjidhje inovative/kreative për zgjerimin dhe shfrytëzimin e platformës “Smart City”, të ndërlidhura ekskluzivisht me shërbime digjitale, të cilat mund të promovojnë shërbime të ndryshme, gjithmonë në përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Kryeqyteti shpall këtë “Thirrje për aplikim” për zgjerimin e ofrimit të shërbimeve përmes platformës dhe infrastrukturës së “Smart City”.